Një çift shqiptar është arrestuar nga autoritetet policore në Spanjë, pasi akuzohen se kishin kthyer një banesë në plantacion kanabisi me pajisje nga më bashkëkohoret.
Mediat spanjolle raportojne se brenda “shtëpisë së bari” janë gjetur dhe sekuestruar 809 bimë marijuane me peshë mbi 177 kilogramë, kurse të ndaluarit pasi dolën para gjykatës, u lanë në arrest me burg.
Operacioni është ekzekutuar nga Stacioni i Policisë së Gandias, të cilët shkatërruan një plantacion marijuane në Ador, ku arrestuan një grua dhe një burrë, përkatësisht 22 dhe 27 vjeç, me origjinë shqiptare.
Ndaj tyre është ngritur edhe akuza e një krimi kundër shëndetit publik dhe një tjetër për mashtrim me energjinë elektrike. Nëse droga do dilte në treg, sillte fitime në qindra mijëra euro.
Hetimi, i kryer nga oficerë të Brigadës së Policisë Gjyqësore, filloi pasi u mësua në fillim të muajit të kaluar se marijuana mund të kultivohej në një shtëpi në qytetin e Adorit.
Policia vendosi mbikëqyrje në afërsi të pronës, duke zbuluar një erë të fortë karakteristike të kësaj substance që vinte prej saj. Ata gjithashtu vunë re tregues të tjerë objektivë se marijuana po mbillej brenda shtëpisë. Oficerët identifikuan gjithashtu një çift si banorët e zakonshëm të shtëpisë.
Ndërhyrja operacionale zbuloi edhe provat, kurse në objekt ishin bërë instalime elektrike dhe hidraulike që i shërbenin kultivimit, llamba dhe rrjet aspirimi. Personat e arrestuar nuk kishin precedentë penalë të mëparshëm, ndërsa ndaj tyre u urdhërua burgosja.