Efektivi i “Shqiponjave” me iniciale N.H. i cili vrau me armë zjarri pas mesnate 25-vjeçarin Klodian Rasha është vënë në pranga. Burime bëjnë me dije se ndaj tij ka nisur hetimi për veprat penale “vrasje në tejkalim të kompetenca dhe shpërdorim detyre”. Polici i cili është pezulluar nga detyra është arrestuar nga SHÇBA me urdhër të prokurorisë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:45 kur i riu kishte dalë nga banesa. Efektivi i policisë pretendon se e ka thirrur për ta kontrolluar për shkak se ai kishte shkelur orën policore. Sipas tij në këtë moment i riu i ka nxjerrë armën dhe për këtë arsye ka qëlluar në drejtim të tij.
Nga ana tjetër familjarët e viktimës pretendojnë se i riu ka qenë i paarmatosur me dy hurma në dorë dhe kishte dalë nga shtëpia për të pirë kafe. Ata kërkojnë të zbardhet sa më shpejt e vërteta e kësaj ngjarje.
Mësohet se 25 vjeçari ka qenë më parë i dënuar për plagosje të lehtë me dashje dhe për heqje të paligjshme të lirisë në vitin 2016.