I konsideruar nga mediat britanike si bosi i trafikut të qenieve njerëzore drejt Britanisë së Madhe, Alket Dauti ka rënë sërish në prangat e autoriteteve angleze.
Pas një hetimi të realizuar nga prestigjozja “Dailymail”, autoritetet britanike arrestuan 38-vjeçarin shqiptar, i cili tashmë është shpallur fajtor për hyrje të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Dauti u vu në pranga një javë pasi Home Office zbuloi se ai kishte hyrë sërish në mënyrë ilegale në territorin britanik, vetëm disa muaj pas lirimit nga burgu në Belgjikë dhe deportimit drejt Shqipërisë.
Ka qenë vetë shqiptari i cili ka nxjerrë veten “zbuluar”. Sipas asaj që Dailymail raporton mësohet se Dauti ka postuar një video në “TikTok” ku shihej duke qarkulluar me mjet luksoz nëpër Londër. Ndërkohë, edhe familjarët e tij kishin shpërndarë fotografi të tij ku dukej duke çuar dy vajzat në shkollë.
Në Gjykatën e Kurorës Woolwich të premten, ai u deklarua fajtor për ‘hyrjen pa leje në MB’ dhe do të dënohet më 12 maj. Mësohet se Dauti mund të dënohet me katër vite burg dhe më pas të dëbohet përgjithmonë nga Britania.
Alket Dauti nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, por dhe atë ndërkombëtare, kryesisht at angleze. Ai është bosi i bandës së shqiptarëve të cilët dërgonin emigrantë të paligjshëm nga Belgjika në MB, duke paguar shuma që varionin nga 8,000 deri në 13,000 paund për person, përmes rrugëve të fshehta me kamionë. Në vitin 2018 ai u arrestua në një banesë në Penge dhe u depërtua drejt Belgjikës, ku ishte dënuar me dhjetë vite burg në mungesë.
Pasi u lirua vitin e kaluar dhe u dërgua në Shqipëri, Dauti u zhvendos sërish në Itali përpara se të rikthehej në Mbretërinë e Bashkuar.
Zyra e Brendshme tha se është ‘e vendosur’ për të larguar kriminelët e huaj, duke shtuar: ‘Ne të gjithë kemi një rol për të luajtur… qoftë gazetaria e shkëlqyer investigative e kryer nga gazetarët e Mail on Sunday, apo mijëra që telefonojnë linjën tonë telefonike të Zbatimit të Emigracionit.’