Arrestohet shoferi që shkaktoi aksidentin tragjik në Shkodër

0

Policia e Shkodrës arrestoi shoferin Adnan Galica, i dyshuar si shkaktar i aksidentit tragjik ku humbi jetën një 62-vjeçar dhe u plagosën tre persona të tjerë. Hetimet paraprake tregojnë se ai po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe po kryente parakalime të rrezikshme, ndërsa testi i alkoolit rezultoi negativ.

Adnan Galica u arrestua nga Policia e Shkodrës për aksidentin tragjik ku humbi jetën 62-vjeçari Shkëlqim Krasniqi, ndërsa u plagosën Fatbardh Lishi, dy fëmijët e tij dhe vetë shoferi që dyshohet se shkaktoi përplasjen.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, ai po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë me automjetin e tij tip “Benz” që nga lagjja “Rus”, duke vijuar përgjatë gjithë segmentit të unazës perëndimore.

Qytetarët dëshmuan se Galica po kryente parakalime të rrezikshme dhe në automjet kishte muzikën me volum maksimal deri në vendin ku ndodhi përplasja fatale, e cila u fiksua nga një kamerë sigurie.

Ishte pikërisht një tentativë e gabuar parakalimi ajo që përfundoi në një përplasje fillimisht me automjetin tip “Ford”, ku udhëtonte Fatbardh Lishi me dy fëmijët e tij, dhe më pas goditi 62-vjeçarin Shkëlqim Krasniqi, i cili po lëvizte me biçikletë.

Ky i fundit ndërroi jetë për pasojë, ndërsa drejtuesi i furgonit dhe fëmijët shpëtuan me lëndime të lehta.

Pas arrestimit, Adnan Galica raportohet se nuk ka dhënë dëshmi para grupit hetimor për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Testi i alkoolit ka rezultuar negativ, ndërsa pritet që ai t’i nënshtrohet edhe analizave toksikologjike për të verifikuar nëse ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.

Verifikimet janë në vijim.