Pas disa orësh diskutimesh para kamerave, një ditë pas një takimi kokë më kokë në kryesinë e Kuvendit mes Enkelejd Alibeajt dhe Taulant Ballës, 4 grupet parlamentare kanë arritur marrëveshjen se si do të zhvillohen raundet e ardhshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Në raundin e dytë dhe të tretë, socialistët do të presin kandidaturat e shprehura nga opozita, dhe do të përzgjedhin nëse janë dakord një prej tyre, për të mbajtur postin e ri të kreut të shtetit.
Zgjedhja e kandidaturave do të bëhet në sajë të disa kritereve të shprehura më herët nga Aibeaj, dokument i cili është bërë publik edhe për mediat.
Balla: Pranohet kushti juaj, në 3 raundet e para kandidaturat do të jenë vetëm nga opozita.
Alibeaj: Po, por ki parasysh një gjë, çdo shkelje e këtyre të rregullave, është shkelja e marrëveshjes.
Balla, Gjiknuri dhe Spiropali, të besuarit e Edi Ramës për të negociuar zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, kërkuan nga përfaqësuesit e opozitës, propozime konkrete për postin e presidentit. Të së njëjtës linjë ishin dhe përfaqësuesit e grupeve më të vogla parlamentare nga radhët e opozitës, si Fatmir Mediu apo Agron Duka, të cilët thanë se e djathta në tërësi, ka aftësi të propozojë një kandidat për president mbi palët.
Tashmë opozita, e cila është mëse e përçarë, do të duhet të mbledhë 20 firma deputetësh, për secilin kandidat që do të propozojë për president, e më pas do të duhet tia dërgojë këto emra mazhorancës socialiste.
Balla dhe Gjiknuri u shprehën se emrat e propozuar do të shqyrtohen dhe do të diskutohen në grupit parlamentar, dhe më pas do të dilet në një vendim, nëse do të përzgjidhen me votë në Kuvend. Tashmë barra e provës duket se bie mbi Alibeajn, pasi për mbledhjen e firmave do të duhet të diskutojë edhe me deputetë që nuk kanë qenë në linjën e tij brenda partisë.
Në raundin e 4 dhe të 5, në rast se dy raundet e ardhshme do të dështojnë për gjetjen e një marrëveshje, socialistët do të shkojnë me listën e tyre për zgjedhjen e presidentit, pasi Kushtetuta e parashikon qartë, që iu duhet një shumicë e thjeshtë prej 71 deputetësh.