TIRANË- Gazetari Elton Qyno tha se zbulimi i makinës në Elbasan dhe për rrjedhojë i atentatit që ishte përgatitur për Elton Kilën ishte totalisht një rastësi. I ftuar në ‘Top Story’, ai tha se çanta me dokumentet e nevojshme janë gjetur nga një punonjës pastrimi në mbeturina. Ndërsa mjeti tha se është pikasur nga një tjetër person që ka lajmëruar policinë. Bashkimi i dokumenteve me armët ka bërë që policia të dilte në përfundimin që po përgatitej një atentat.
“Ngjarja e dy ditëve më parë në Elbasan nuk është mësuar nga dëshmia e Dumanit por nga një punonjës pastrimi që në koshin e mbeturinave ka gjetur në çantë me një pistoletë e më pas kanë njoftuar policinë, e cila ka bërë krehje të zonës. Një nga rojet i ka treguar që dy apo tre ditë më parë është lënë një makinë aty dhe nuk kishte informacion e kujt ishte, policia ka bërë hapjen e makinës dhe ka gjetur makinën me benzinë e armë dhe kartën e identitetit të Arben Spahiut por që kishte emër tjetër,”- tha Qyno.
Mjeti në fjalë u gjet dy ditë më parë në lagjen ku banon Erion Alibej, i cili ndodhet pas hekurave pasi akuzohet se ka porositur një sërë vrasjesh dhe fillimisht u aludua se mjeti ishte lënë nga armiqtë e tij, por hetimet sollën të tjera zhvillime. Një ditë pas gjetjes së mjetit të mbushur me armë, u vunë në pranga Arsen Preçi e Arben Spahiu, të cilët prisnin mbërritjen e Kilës në Elbasan për ta sulmuar atë. Njëri nga dy të arrestuarit, Arsen Preçi kishte hedhur në koshin e mbeturinave çantën e supit brenda të cilës janë gjetur pistoleta dhe dy mjete identifikuese që kanë çuar policinë drejt zbulimit të autorëve. Po ashtu në çantë janë gjetur edhe maska dhe doreza që do të përdoreshin prej tyre për të humbur gjurmë pas krimit.
Sot, të dy kanë dalë para trupës gjykuese, por kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen. Ky është atentati i katërt që është planifikuar për eliminimin e Kilës që dështon. Shkak për eliminimin e tij mendohet të jetë një hakmarrje e lidhur me kunatin e Alibejt, Arben Spahiu. Ai është vëllai i Ardit Spahiut, i vrarë në Belgjikë dhe i Rigers Spahiut, i arrestuar në tetor të 2022 pasi u kap me një arsenal armësh.