Autori u trokiti në derë si oficer policie, dinamika e atentatit ndaj dy politikanëve në Minnesota. Trump: Dhuna nuk do të tolerohet

0

Detaje të reja për atentatin e rëndë të ndodhur në Minnesota të Shteteve të Bashkuara, ku mbeti e vdekur deputetja demokrate Melissa Hortman dhe bashkëshorti i saj Mark.

Të plagosur rëndë mbetën senatori John Hoffman dhe bashkëshortja e tij.

Teksa ende nuk është kapur autori, autoritetet thonë se i dyshuari kishte parkuar makinën e tij para banesës së secilit prej tyre dhe kishte trokitur në derë i veshur me jelek, armë zjarri dhe një distinktiv të ngjashëm me atë të oficerëve.

Edhe automjeti ishte i ngjashëm me të policisë…

Pasi ka qëlluar në drejtim të tyre, ka pasur një shkëmbim zjarri edhe me forcat e policisë lokale.

Teksa vijojnë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tij, Guvernatori Tim Walz u ka bërë thirrje njerëzve të mos marrin pjesë në asnjë tubim politik.

“Si masë, Departamenti im i Sigurisë Publike po rekomandon që njerëzit të mos marrin pjesë në asnjë tubim politik sot në Minnesota derisa i dyshuari të kapet”, ka thënë ai.

Pas ngjarjeve të rënda ka reaguar edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili tha se ishte informuar për të shtënat në Minesota dhe siguroi se një dhunë e tillë e tmerrshme nuk do të tolerohet.

“Jam informuar për të shtënat e tmerrshme që ndodhën në Minnesota, të cilat duket të jenë një sulm i synuar kundër ligjvënësve të shtetit. Prokurorja jonë e Përgjithshme, Pam Bondi, dhe FBI-ja po hetojnë situatën dhe do të ndjekin penalisht këdo që është i përfshirë me të gjitha fuqitë ligjore. Një dhunë kaq e tmerrshme nuk do të tolerohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti i bekoftë njerëzit e mëdhenj të Minnesotës, një vend vërtet i mrekullueshëm!”, thuhet në reagim.