Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Margerita Gjonin, vajza e cila dhunonte të dashurën e të fejuarit.
Kjo masë sigurie sipas vlerësimit të Gjykatës është vendosur pasi veprimet e Gjonit cilësohen si kundërvajtje penale.
Kështu Gjoni është liruar nga qelia ndërkohë që vijojnë hetimet në gjendje të lirë për të.
Margerita Gjonin, mori peng të dashurën e të fejuarit, e dhunoi dhe më pas i publikoi pamjet në rrjetet sociale.
Abc News ka mësuar se në sallën e gjyqit Gjoni nuk ka folur ndërkohë që avokati i saj, Besmir Kolci është shprehur se Margerita Gjoni është penduar për dhunën, por e justifikoi me faktin se “kur e ka marrë vesh çfarë ka ndodhur është tronditur prandaj e ka goditur”.
Besmir Kolci është shprehur se Gjoni është penduar, teksa shtoi se të dhunuarën e ka patur edhe shoqe.
Ndërkohë mësohet se Gjoni dhe bashkëshorti i saj, Ndue Preka, për të cilin u bë i gjithë sherri dhe njihet si “Noja” tashmë në rrjetet sociale, janë në proces divorci prej tre muajsh.
“Për dy vite e ka mbajtur në shtëpi Brisildën pasi kanë qenë shumë shoqe. Margerita në momentin kur ka mësuar lidhjen intime mes shoqes së saj Brisilda me bashkëshortin Ndue Preka me të cilin është në process divorci është tronditur për shkak të atyre veprimeve dhe nuk e ka përballuar emocionalisht.
Margerita është penduar për dhunën e ushtruar ndaj shoqes së saj por për momentin kur ka mësuar se çfarë ka ndodhur mes tyre e ka goditur sepse nuk e ka pritur kurrë se mund të ndodhte një gjë e tillë për shkak të shoqërisë së afërt mes tyre.
Margerita i ka dhënë për të ngrënë, i ka dhënë rrobat e saj gjatë këtyre dy viteve kur e mbajtur në shtëpi ndaj për momentin është tronditur. Margerita dhe Ndue janë në proces divorci që më përpara por pavarësisht kësaj nuk e ka menduar se shoqja mund t’ia bënte një gjë të tillë”, u shpreh avokati.
Margerita Gjoni u vu në pranga më 25 gusht, 24 orë pasi videot ku ajo ushtronte dhunë dhe presion mbi vajzën me të cilën e kishte tradhëtuar i shoqi, bënë xhiron e rrjetit.