Ish-zv.kryeministrja dhe ish-zv.ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë, duke kërkuar heqjen e masës së pezullimit nga detyra, të vendosur nga GJKKO me kërkesë të SPAK në nëntor 2025. Kërkesa u depozitua sot dhe pritet shqyrtimi nga Gjykata e Lartë.
Më 9 prill Gjykata e Lartë i refuzoi Ballukut kërkesën për heqjen e masës së caktuar ndaj saj, “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Kujtojmë se Balluku është pezulluar nga detyra dhe aktualisht mban vetëm mandatin si deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo akuzohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, lidhur me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndërsa po hetohet edhe për procedura të tjera, përfshirë ato të Unazës së Madhe.
Balluku ndodhet nën hetim nga SPAK që prej tetorit të vitit të kaluar.





