Banorët e lagjes ‘5 maj’ në Tiranë po vijojnë me rezistencën e tyre për mbrojtjen e banesave, teksa ditën e sotme u shprehën se kanë marrë letër kërcënuese nga Bashkia e Tiranës.
Sipas tyre, ekspertët e ASHK do çohen për të bërë matjet e pronave, dhe në këtë proces po ndërhyn dhe Bashkia duke u kërkuar banorëve paraqitjen në njësinë administrative.
“Ne kemi dalë përherë, jemi në mbrojtje të pronave tona. Ne nuk kemi pranuar të paguajmë ryshfet dhe nuk jemi legalizuar. Ne i kemi kërkuar takim bashkisë për projektin. Na kërkojnë gatishmërinë tonë për të lejuar specialistët e ASHK për kryerjen e matjeve te pronat, nuk ka pse na dërgojnë dhe mesazhe kërcënuese. Legalizimet dhe Bashkia e Tiranës i kanë punët e ndara, pse Veliaj po I fut në një thes? Çdo ekspert është i mirëpritur por jo të paraqitemi ne në njësi administrative. Mos kërcëno banorët i them Veliajt, sepse nuk penalizohemi ne por ju. Nuk po kuptohet asgjë! Këta duan të na vjedhin hapur.”, shprehen për Fax News banorët e ‘5 Majit’.