Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka njoftuar mbrëmjen e sotme se ka depozituar në SPAK një kallëzim ndaj kryetares së Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, dhe zv.kryeministres, njëherësh ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se Balluku dhe Bufi lejuan ndërtimin e TEC-it në Roskovec në shkelje të ligjit.
TEC-i i Roskovecit ndërtohet nga firma e biznesmenit Bashkim Ulaj, i cili ka bërë një propozim të pakërkuar për këtë projekt. Banorët e kanë kundërshtuar vazhdimisht duke e cilësuar si një dënim me vdekje për zonën me potencial të madh turistik dhe që konsiderohet si hambar i bujqësisë në vend.
Reagimi i Bardhit:
Bëmat e shkeljes së ligjit nga Majlinda Bufi nuk kanë të sosur!
Çdo ditë dalin prova sesi Majlinda Bufi dhe Belinda Balluku nuk kanë prioritet interesin e qytetarëve, por kanë prioritet vetëm interesin e tyre personal. Të gjitha provat e shkeljes flagrante të ligjit në këtë rast të zbuluara nga investigimi i emisionit “Piranjat” do të depozitohen të hënën më SPAK. Uroj shumë që prokuroria speciale të ndëshkojë me forcën e ligjit abuzimin flagrant me ligjin dhe dëmtimin me dashje të interesit të qytetarëve.