Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës që shkarkoi Erion Veliajn nga detyra.
Bardhi shprehet se shkarkimi i sotëm ishte një paralajmërim për fundin që i pret të gjithë ata zyrtarë socialistë që në shërbim të kryeministrit Edi Rama kanë abuzuar me pushtetin.
Gazment Bardhi thekson se i njëjti fund pret pas dere ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët e korruptuar të Edi Ramës.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit
Erion Veliaj – shëmbylltyra e Edi Ramës në krye të Bashkisë Tiranë – u shkarkua sot me votat unanime të Këshillit Bashkiak Tiranë. Ai iku nga drejtimi i bashkisë më të madhe në vend pa pasur mundësi të thoshte asnjë fjalë, t’i jepte dorën askujt dhe as të thoshte lamtumirë. Ai iku si funksionari simbol i korrupsionit, abuzimit dhe paligjshmërisë në krye të punëve të kryeqytetit.
I sotshmi nuk ishte një mesazh thjesht dhe vetëm për Erion Veliajn. Shkarkimi i sotëm ishte një paralajmërim për fundin që i pret të gjithë ata zyrtarë socialistë që në shërbim të Edi Ramës kanë vjedhur votat, kanë abuzuar me pushtetin, kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë përvetësuar pasuritë publike.
I njëjti fund që pret pas dere ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët e korruptuar të Edi Ramës, duke filluar nga Belinda Balluku. Ora e së vërtetës dhe drejtësisë mund të vonojë. Por, e sigurt është që ajo gjithmonë vjen. Dhe kur vjen, bie pamëshirshëm mbi të gjithë ata që privilegjin e rrallë të të shërbyerit të qytetarëve e shpërdoruan për ambicien, pushtetin dhe pasurimin personal. Kur ajo orë të vijë, “ëngjëlli mbrojtës” i të korruptuarve do të mjaftohet me një psherëtimë keqardhje të jashtme dhe ngërdheshjeje të brendshme që edhe kësaj here nuk ishte ai i rradhës.





