Bayern Munich është gati të rivalizojë Bayer Leverkusenin për transferimin e mesfushorit shqiptar, Granit Xhaka, i cili pritet të largohet nga Arsenali këtë verë.
Pas shumë sprovash dhe mundimesh gjatë shtatë viteve të fundit së bashku, Xhaka ka vendosur t’i jap fund karrierës në Emirates.
Klubi më i madh gjerman, Bayerni ka shprehur interesim për Xhakën dhe departamenti i sapokrijuar i planifikimit të skuadrës duket shumë entuziast për transferimin e mesfushorit në Allianz Arena.
Sipas mediumit zviceran 4-4-2.ch, kampionët e Bundesligës janë gati t’i ofrojnë Xhakës një kontratë të vlefshme për tre vitet e ardhshme me opsion edhe për një vit tjetër shtesë.
Pika e ngecjes për momentin është tarifa e transferimit. Arsenali, ku Xhaka ka ende kontratë deri në vitin 2024, thuhet se kërkon 25 milionë euro dhe gjermanët nuk janë gati të shkojnë më larg se 15 milionë euro.