Deputetët e Parlamentit Europian miratuan një raport për Kosovën, që inkurajon shtetin të bëjë reforma për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por po ashtu kërkon që Prishtina dhe Beogradi të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizim.
“Është e qartë që procesi integrues i Kosovës ka nevojë për një moment të ri – na duhet një kapitull i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe ne do të punojmë së bashku në agjendën e reformave, sepse çdo anëtarësim në të ardhmen duhet të bazohet në meritë”, tha raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras.
Sipas eurodeputetëve, dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, “fatkeqësisht nuk ka prodhuar rezultatet e pritura”, teksa ata u kërkuan të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Në raport, u tha se Serbia “duhet të punojë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën”, si dhe të “harmonizojë plotësisht politikën e saj të jashtme me atë të BE-së”.
Eurodeputetët thanë po ashtu se Kosova ka qenë cak i ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave dezinformuese, veçmas nga Rusia dhe Kina, që kishin për synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e integrimit evropian të Ballkanit perëndimor, ndaj dhe i bënë thirrje qeverisë së Kosovës që të forcojë kapacitetet e saj për të luftuar këto kërcënime.