Një 23-vjeçar është ndaluar nga policia, pasi kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Mësohet se shtetasi me iniciale N.X., është ndëshkuar më 60 mijë lekë për thyerje të rregullave të Kodit Rrugor dhe se automjeti u gjet i papajisur me siguracion.
Njoftimi i policisë:
Kreu manovra të rrezikshme (drift) me automjet, në rotondo, ndëshkohet me masë administrative 60 000 lekë, drejtuesi i automjetit të papajisur me siguracion.
Pas publikimit të një video-je në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një drejtues automjeti, duke kryer manovra të rrezikshme (drift) me automjet, në vendin e quajtur “Rotondo e stacionit të autobusave”, Patos, dhe për pasojë, rrezikoi veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, shërbimet e Policisë Rrugore Fier kanë bërë të mundur lokalizimin e automjetit që shfaqej në video, si dhe kapjen e drejtuesit të tij, shtetasit N. X., 23 vjeç. Për kundërvajtjen e kryer, konkretisht për shkelje të nenit 139, pika 1, pika 3 dhe të nenit 191 të Kodit Rrugor, ndaj shtetasit N. X. u vendos masa administrative 60 000 lekë të rinj.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe garantimin e sigurisë rrugore.