Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët e Elbasanit.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati tha se politika që prej 12 vitesh qeveria e tanishme ishte dëmtuese për fermerët.
Sakaq ai tha se ‘mazhoranca i hapi kufijtë prodhimit serb’.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Ne, vijmë në këtë takim me ju, pasi në 12 vite fermat tuaja, prodhimet tuaja, mundi juaj, ka njohur vështirësi të mëdha, humbje të ndjeshme, rrokullisje serioze.
Sot, po të shkojmë në dyqanet e Elbasanit, të Tiranës dhe kudo, 80% të produkteve prodhohen në Shumadi, në Banat, prodhohen jashtë Shqipërisë.
Sot, sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, që është një sektor bazë, në të cilin punësohen rreth gjysmë milioni shqiptarë, është një sektor për të mos thënë krejtësisht, por pothuajse krejtësisht i braktisur nga kjo qeveri. Ky sektor i jep vendit 90% të prodhimit të brendshëm. Ky sektor financohet vetëm 0.5% të prodhimit të brendshëm.
Ju nuk jeni më pak punëtorë se sa fermerët e Maqedonisë, të Kosovës, apo të Serbisë, ose të Malit të Zi. Jo, ju jeni shumë punëtorë. Dhe sigurisht, ju doni që fermat tuaja, serrat tuaja, stallat tuaja, të ecin përpara, t’u begatojnë, të pasurohen.
Por, kjo nuk ndodh. Sepse, me politikën që ndoqi kjo qeveri, ishte një politikë shkatërrimtare. Hapi kufijtë, doganat për prodhimet e Serbisë, Maqedonisë, fermerë të të cilave, subvencionohen nga 5 gjer 8 herë më shumë se ju.
Pra, në qoftë se ju merrni 100 euro subvencion, fermeri në Maqedoni merr 500 euro subvencion, fermeri në Kosovë merr 400 euro subvencion, fermeri në Serbi merr 700 ose 800 euro subvencion. Ky është realiteti. Kjo është e vërteta!
Çfarë ndodh?
Ndodh që ju nuk konkurroni dot në tregje, sepse ai e ka të subvencionuar çmimin, dhe fëmijët tuaj largohen për të ndërtuar ëndrrën e tyre, jo në Elbasan, jo në Shqipëri, po për ta ndërtuar në Itali, Greqi, dhe në vende tjera.
Unë, do t’u dërgoj atyre një përshëndetje shumë të përzemërt dhe një nderim shumë të madh.
Ata janë bërë individë të shquar, biznesmenë të shquar, dhe janë atdhetarë të flaktë aty ku janë. Njëri prej tyre është, Edmir Çekrezi, të cilin unë pata fatin ta njoh fort këto kohët e fundit. Por, edhe shumë e shumë të tjerë.
Ata, këtë vit votojnë për herë të parë dhe ata do t’i japin vendit të tyre mbështetje historike me votën e tyre. Së bashku me ju, do ta ndajnë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe.