Avokatët e Sali Berishës dorëzuan në gjykatën e Apelit ankimimin për masën e sigurisë arrest shtëpie me mbikëqyrje dhënë nga gjyqtarja Irena Gjoka, ndaj ish kryeministrit, në hetim lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit sportiv Partizani.
Berisha qëndron që prej 30 dhjetorit në masën arrest shtëpie, ndërsa i ndalohet komunikimi me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në një banesë me të. Por pavarësisht kësaj mase, gazeta gjermane BILD ka arritur të flasë me Sali Berishën, pas dhënies së vendimit nga GJKKO në Tiranë, duke zbuluar kështu edhe një shkelje të ish-kryeministrit.
Bild thotë në një artikull se arriti të flasë me Berishën, pavarësisht se atij i është ndaluar komunikimi.
“Ndihem shumë i motivuar për të udhëhequr një luftë të suksesshme kundër diktaturës së dytë në tridhjetë e dy vjet në vendin tim. Këtë herë është një shtet droge, një diktaturë mafioze”.- ka thënë Berisha.
Berisha gjithashtu, e konsideron Ramën përgjegjës për shpalljen e tij ‘non grata’ nga SHBA, me informacione të rreme dhe rryshfet.