Ish-kryeministri Sali Berisha ka shkuar sot në Shkodër për të zhvilluar një takim me fermerët e njësisë administrative Ana e Malit. I pranishëm në këtë takim është edhe Bardh Spahia, kandidati i koalicionit “Shtëpisë së Lirisë” për Bashkinë e Shkodrës. Teksa mbante fjalën e tij, Berisha akuzoi Luan Hotin, kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit se ka në duar monopolin e porteve. Sipas Berishës, Hotit këtë gjë ia ka mundësuar vetë kryeministri Edi Rama. Lideri historik i Partisë Demokratike shtoi se përmes posrtit të Durrësit në Shqipëri do të futen dy miliardë euro, para të ardhura nga aktivitete kriminale.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Siç e dini, ne jemi në një fushatë elektorale, faktisht më shumë kombëtare se sa lokale për nga rëndësia e saj, sepse siç e dini, kemi nisur një përpjekje që ka pasur qëllimin kryesor që të jemi opozitë e vërtetë, sepse njeriu fals, opozita falso, jo vetëm që nuk vlen, por dëmton dhe në botën e qytetëruar qëkur ka lindur demokracia. Ka edhe opozitë që e kundërshton dhe bën transparencën, ndërsa ne na qëlloi fati që të kemi qeveri arrogante, të lidhur me krimin e drogën. Kandidati i Bravës në Durrës është njeriu që ka monopolin e porteve nga Saranda në Shëngjin, me firmën e Edi Ramës. Ose i ka dhënë valixhen me euro, ose është shitur tek ai. Qeveria nuk mund të japë kurrë monopol, është e detyruar të copëtojë monopolet dhe jo të ndihmojë në krijimin e saj. Nga një kompani off-shore do sjellin dy miliardë euro, absolutisht para krimi e droge sepse iku arabi. Arabi ishte ndërtues nuk mund të themi sepse ka ngritur kullën më të lartë në botë por iku ai. E mori kompaninë dhe e shiti tek Rama-Brava.