Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ky i fundit po tenton të shkatërrojë sektorin e industrisë së birrës në Shqipëri për interesat e të afërmve të presidentit serb. Për Berishën, në emër të “Open Balkan”, Rama po ndërmerr hapa me qëllim goditjen e biznesit të birrës.
“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë sepse ai është bërë zëdhënës i vëllezërve Kaliç të Vuçiçit. Në emër të interesave të tyre, ai po mbyll dhe po falimenton të gjithë industrinë e birrës të krijuar këto 30 vite në Shqipëri, duke lënë pa punë mijëra familje, të cilat jetojnë duke punuar në sektorë të kësaj industrie.Këtë e bën direkt vetëm për interesa në kuadër të Ballkanit të Hapur, për interesa të vëllezërve Kaliç, të sanksionuar.Edi Rama duhet të japë dorëheqje për mega-aferën e tmerrshme të portit të Durrësit, që ka përfunduar përsëri në ortakëri me Aleksandër Vuçiç”, tha Berisha.