Berisha thirrje të rinjve: Përmbysja e diktaturës në duart tuaja

0

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me të rinjtë e FRPD-së, ku u ka bërë thirrje se përmbysja e kësaj diktaturë, siç e konsideron ai qeverisjen e Edi Ramës, është në duart e tyre.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se sheshi mbushet me qindra dhe mijëra kurdo, por diktaturën e përmbysin vetëm të rinjtë. Ai shtoi më tej se e ardhmja e kombit shqiptar është në duart e rinisë, teksa e krahasoi Ramën me Pashiqin.

Berisha deklaroi se deputetët po luftojnë vetëm për interesat e popullit opozitar dhe për idealet e popullit opozitar.

“Unë duhet t’u them ju se përmbysja e kësaj diktaturë është në duart tuaja. Një parti e tërë është sot në këmbë. Ai shesh, kur të duam, mbushet me dhjetëra dhe qindra mijëra. Por, diktaturën e përmbysni vetëm ju. Këtë mos e harroni. Diktaturën e përmbysni vetëm ju në misionin e gjeneratës suaj. 30 vite më parë, një gjeneratë shpëtoi Shqipërinë nga diktatura komuniste. Sot, pas 30 vitesh, gjenerata juaj do shpëtojë Shqipërinë nga diktatura e bandës apo narkodiktatura. Dhe unë ju garantoj ju se për këtë nuk duhet asgjë tjetër vetëm vendimi juaj. Se në vendimin e parë që ju të merrni atë vendim që morën studentët në dhjetor 1990, i pari që ia mbath nga Shqipëria është Edi Rama dhe banda e tij. Në Dubai apo kudo që të shkojë. Në këtë mënyrë, ju keni shpëtuar para se gjithash, të ardhmen tuaj. Pa të ardhmen tuaj, Shqipëria nuk ka të ardhme. E ardhmja e Shqipërisë është e ardhmja juaj. Por jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e kombit shqiptar. Shikoni se çfarë bën ky me Kosovën? Ndiqni shërbimet që i bën Beogradit. Është e paimagjinueshme që kryeministri juaj të quhet në botë, Pashiqi shqiptar apo kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit. Po pse kjo? Sepse sapo erdhi në pushtet, si një demon, u vërsul drejt Kosovës me të gjithë skenarin e Beogradit. Së pari, ta ndajmë! Ç’të ndajë Kosovës? Kosova i ka me gjykatë ndërkombëtare të sanksionuar kufijtë. Me ata kufij, Kosovën e ka njohur 95 përqind e botës së lirë. Pasi dështoi, nxori projektin e Ballkanit të Hapur, që ishte vendosja e hegjemonisë serbe në rajon. Duhet t’ju qartësoj ju. Në fillim të shekullit të kaluar, Fuqitë e Mëdha në një gabim historik, besuan se Ballkani i rebelëve qetësohet duke vendosur Serbinë si hegjemon të rajonit. Ajo i kushtoi rajonit, jo atëherë, por edhe para 10 vitesh, gjakderdhjet më të mëdha në historinë e vet. Dhe ky tani, shndërrohet në një argat që promovon çdo projekt të Beogradit. A mund të imagjinoni ju? Erdhi këtu presidenti i nderuar francez, Makron, një nga udhëheqësit kryesorë të BE. Një ngjarje historike për Shqipërinë. Franca ka luajtur rol shumë pozitiv në luftën e NATO-s për çlirimin e Kosovës dhe mbrapa. Ka njohur pavarësinë e Kosovës. Presidenti Zhak Shirak angazhoi fuqinë ushtarake të Francës kundër Beogradit, një aleat i Serbisë prej dekadash dhe shekujsh ndoqi. Por ndoqi parimet dhe të drejtën ndërkombëtare. Ky shkon dhe i kërkon të deklarojë këtu se Kosovës do i anulohen vizat. Ose shkon në Nju Jork, takohet me Vuçiçin, lajmërohet për atë që u bë në Banjskë dhe del e nuk ngushëllon as familjen. Ose së fundmi, ndiqeni, u bë takimi në Bruksel, kryeministri i Kosovës e pranoi propozimin, unë e firmos tha, këtë formë asociacioni unë e firmos tani. Ai e refuzoi dhe ai vetë u tha të tjerëve se Kurti korri një fitore të përkohshme. Çfarë bëri Pashiqi i shqiptarëve? Pashiqi i shqiptarëve nxori të gjithë mediat një javë mbrapa të thotë se ai projekt i asociacionit ishte i Edi Ramës, i liderit global të 1 prillit. Natyrisht kjo kishte një qëllim, që Vuçiçi ta kundërshtonte, të thoshte se ky është projekti i Tiranës, nuk kam punë me të. Saqë u detyrua komisioni të ndërhyjë dhe ta tërheqë. Pra, kemi të bëjmë me një person, një zyrtar që përdor të gjithë pushtetin e shqiptarëve kundër gjysmës së kombit. Që bën gjithçka për të krijuar epërsi të Vuçiçit, i cili u them unë ju se është absolutisht një Millosheviç i ri, por në dallim nga i pari, nuk ka doktrinën komuniste, ka lidhjet me Kremlinin shumë më të forta se Millosheviçi, lidhjet me ekstremin e kishës, shumë më të forta se ai. Ai kishte sigurimin, ky ka Belivukët. Belivukët janë banditët që merrnin dhe bluanin trupat e kundërshtarëve në brigjet e Danubit. Janë si Bajrët që vrasin nga 13-14, si Pëllumb Gjoka, banda e Durrësit e me radhë.

Të gjitha këto janë një motiv shumë i fortë për çdo të ri, për çdo të re që të nisë misionin. Ne po bëjmë një betejë në parlament. Një betejë e zgjedhur. Deputetët kanë zgjedhur të luftojnë vetë. Dhe kanë bërë zgjidhjen më të mirë. Por aty, ata po luftojnë vetëm për interesat e popullit opozitar, për idealet e popullit opozitar. Përndryshe, diktatura është e plotë kur deputetit i mbyllet dera e institucionit, kur ai normalisht futet në çdo institucion, dhe i mbyllet dera e zyrës së tij, kjo është gjëmë. Gjëmë e vërtetë. Nga kjo gjëmë, vetëm ju me guximin, fuqinë tuaj mund ta shpëtoni Shqipërinë. Unë kam besim se ju, që keni dhuntinë më shumë se të gjithë të tjerët, më shumë se të gjithë moshat e tjera, të shikoni të bukurën. Që keni guximin. Ju do luftoni kësaj here, që siç u përmbys një diktaturë 30 vite më parë, të përmbyset kjo diktaturë 30 vite më vonë.” – u shpreh Berisha.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu