Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se protesta e 12 Nëntorit ka firmosur aktin e kthesës së madhe të popullit opozitar. Berisha u shpreh se opozita ka nisur një betejë që nuk ndalet deri në rrëzimin e sistemit monist dhe derisa shqiptarët të votojnë si popull europian.
“Jam para jush për të shprehur falënderimet më të përzemërta, mirënjohjen për ata qindra mijëra burra dhe gra, djem dhe vajza nga Tirana dhe katër anët e Shqipërisë, nga emigracioni dhe diaspora që me praninë e tyre në protestën më madhështore më të fuqishme që Tirana ka njohur në historinë e saj firmosën aktin e kthesës së madhe të popullit opozitar, inauguruan fillimin e një beteje e cila nuk ndalet më gjer në përmbysjen e sistemit monist, derisa shqiptarët të votojnë të lirë si qytetarët europianë.
Të mos vidhen në mënyrë të tmerrshme nga një qeveri që nuk ka ligj as moral me në krye Edi Ramën. Të mos varfërohen nga muaji në muaj. Protesta e 12 nëntorit ishte në zenitin e protestave krahasuar me numrin e popullatës e protestave në botë. Ajo dridhi themelet e një monizmi që bazohet në vjedhjen e votës, vjedhjen e fondeve publike, pasurive publike nga Edi Rama, bazohet në frikën, shantazhin, drogën dhe krimin. Ai ishte mesazhi më i shkëlqyer që qytetarët fisnikë të Tiranës e mbarë Shqipërisë u dërguan shqiptarëve kudo që janë.
Ata u dërguan mesazhin e shpresës, besimit, fitores. Por njëkohësisht protestuesit u dërguan kancelarive të Europës dhe botës që krahas një narko shteti të instaluar në Shqipëri, krahas një monizmi që bazohet në vjedhjen e votës përmes krimit, drogës e mashtrimit, ekziston dhe një popull i tërë i ngritur në këmbë për ta hedhur në Lanë për të përmbysur këtë regjim.”, tha Berisha.