Bisedon edhe me Putin, Trump: Lufta me Iranin është pothuajse e përfunduar

0

Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi në një intervistë për CBS News se lufta kundër Iranit është pranë përfundimit.

Sipas Trump, operacioni ushtarak i ndërmarrë nga SHBA-të dhe Izraeli kundër Iranit po zhvillohet shumë më shpejt nga sa ishte parashikuar.

“Mendoj se lufta është praktikisht e përfunduar. Ata nuk kanë më flotë detare, nuk kanë komunikime dhe nuk kanë forcë ajrore. Raketat e tyre janë shkatërruar. Dronët po shkatërrohen kudo, përfshirë edhe prodhimin e tyre. Nëse e shikoni situatën, atyre nuk u ka mbetur asgjë. Ushtarakisht nuk ka mbetur asgjë”, u shpreh presidenti amerikan gjatë intervistës.

Ndërkohë, disa media ruse raportojnë se Trump ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Sipas këtyre raportimeve, gjatë telefonatës janë diskutuar zhvillimet lidhur me konfliktin në Iran si dhe situata në Ukrainë.

Burimet ruse e kanë përshkruar këtë bisedë si “konstruktive”, megjithatë deri më tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar të detajeve të saj nga Shtëpia e Bardhë.