Blendi Klosi: Së shpejti nis vaksinimi dhe për sektorin e turizmit

0

Vetëm pak ditë pasi u propozua si ide, vaksinimi i stafeve në sektorin e turizmit është shumë afër finalizimit.

Këtë e bëri me dije ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, në takimin që pati dje me shoqatat në fushën e turizmit, hotelerisë, operatorëve turistikë dhe restoranteve.

“Do të vaksinohen të gjithë ato stafe që në industrinë e turizmit kanë kontaktin e parë me operatorët turistikë. Do të dëshironim shumë që të ishim një vend nga të parët në rajon edhe natyrisht me një iniciativë unikale mbase edhe në Europë, ku hoteleri-turizmi të vaksinohet i pari, të kemi mundësinë që të jemi ashtu si në vitin e kaluar, një vend me kufij të hapur, një vend që pret turistë natyrisht nga i gjithë rajoni si zgjedhje e tyre e parë, por edhe tregje që tashmë i kemi konsoliduar. Me vaksinimin masiv të të gjithë sistemit tonë të turizmit, ne do të kemi mundësi që të jemi përsëri konkurrentë të fortë në këtë industri kaq të vështirë”, u shpreh Klosi përpara përfaqësuesve të turizmit në vend.

Këta të fundit e mirëpritën propozimin e tij, me shpresën se kjo iniciativë do të sjellë sa më shumë turistë në Shqipëri.

“Kjo gjë që po bën qeveria shqiptare është e para në rajon dhe ndoshta në botë që vaksinon stafet turistike. Jam i sigurt që kjo ide do të vidhet shumë shpejt edhe nga Greqia, Italia dhe Spanja, sepse vërtet është një sinjal që u jep siguri turistëve për të ardhur dhe për t’iu përgjigjur ofertës financiare që në përgjithësi Shqipëria e ka”, tha presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi.

Pavarësisht procesit të vaksinimit, ministri Klosi thotë se protokollet e sigurisë kundër Covid-19 do të vazhdojnë të zbatohen edhe këtë vit nga hotelet, por do të jetë më i lehtësuar, pikërisht edhe për shkak të sigurisë që ofrohet përmes stafeve të vaksinuara. Kreu i turizmit, teksa kërkoi menjëherë që shoqatat të bëjnë gati listën e hoteleve që kanë kontrata me operatorët turistikë dhe pikave që vizitohen më shumë, me qëllim vënien përpara të procesit të vaksinimit.

“Ne kemi mundësi që të vaksinojmë një numër të konsiderueshëm të sektorit të turizmit, por mundësitë nuk janë pa fund. Prioritetet do të vazhdojë të jetë vaksinimi i grupeve të targetuara tashmë dhe sidomos të moshës së tretë, të cilët janë më të rrezikuar. Por do të doja shumë që ne ta rikthenim edhe këtë proces në marketing për Shqipërinë. Ku ajo çfarë ne kemi edhe kryefjalën e turizmit shqiptar, mikpritja edhe sjellja e mirë të shoqërohet edhe me një garantim nëpërmjet vaksinimit, të higjienës dhe të kushteve të trajtimit të sëmundjes”. Javën e shkuar ishte Kryeministri Rama ai që realizoi një takim me përfaqësuesit e turizmit, nga ku doli me premtimin për një verë më të sigurt dhe frytdhënëse përmes fushatës së vaksinimit që tanimë ka nisur masivisht.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu