Bllokadë politike në Prishtinë, Kuvendi nuk konstituohet edhe në seancën e 16-të

0

Kriza institucionale në Kosovë po zgjatet. Për të 16-ën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, duke thelluar ngërçin politik që vijon prej zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Në seancën e sotme, e cila u drejtua nga kryesuesi Avni Dehari, dështoi votimi për formimin e Komisionit Zgjedhor që do të hapte rrugën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Propozimi nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme, çka solli ndërprerjen e seancës.

Mbledhja parlamentare pritet të rifillojë të shtunën, në orën 10:00.

Pavarësisht se është partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk ka arritur ende të sigurojë shumicën e nevojshme për të zgjedhur kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, në krye të Kuvendit. Në raundet e mëparshme, ajo ka marrë vetëm 57 vota, ndërkohë që për zgjedhje duhen të paktën 61.

Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, mbeten të bashkuara në kundërshtimin e kandidaturës së Haxhiut, duke penguar përpjekjet e mazhorancës për të dalë nga bllokada.