Urdhri për ndalimin e monopatinave ka sjellë shumë pakënaqësi te qytetarët. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit njoftuan ndalimin e përdorimit të monopatinave elektrike duke filluar që nga e hëna(dita e djeshme).Që në ditën e arë, policia bllokoi me dhjetra monopatina të qytetarëve të cilët dolën për qarkullim në rrugë. Ata e kanë kundërshtuar urdhrin dhe kërkojnë kthimin pas të monopatinave elektrike që u janë bllokuar.
Për këtë arsye është njoftuar një protestë nga Qëndrrsa Qytetare, gjatë ditës së nesërme në orën 10:00, para Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë për të kërkuar llogari mbi këtë aksion.
“Sekuestrimi i këtyre monopatinave është bërë në shkelje të hapur të ligjit, duke ekspozuar qytetarët përballë kostove financiare të padrejta dhe mbi të gjitha jemi në kushtet e cenimit të pronës private”, shkruhet në njoftimin e Qëndresës Qytetare.
Njoftimi i plotë:
Me qindra monopatina u janë sekuestruar qytetarëve të Tiranës mbi bazën e një urdhri në rrjetet sociale për të cilin nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga Ministria e Brendshme.
Sekuestrimi i këtyre monopatinave është bërë në shkelje të hapur të ligjit, duke ekspozuar qytetarët përballë kostove financiare të padrejta dhe mbi të gjitha jemi në kushtet e cenimit të pronës private.
Të gjithë pronarët e motomjeteve, të gjendur para kësaj situate, nuk dinë më çfarë të bëjnë. Nëse mjeti yt është konfiskuar dhe po mbahet në mënyrë të paligjshme, të ftojmë të mblidhemi ditën e mërkurë, ora 10:00, para Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë për të kërkuar llogari mbi këtë aksion të paligjshëm.





