Policia Kufitare e Shkodrës, në bashkëpunim me Policinë vendore, Policinë Bashkiake dhe Agjencinë Rajonale të Bregdetit, operacion për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe lundrimin e sigurtë. Në operacion edhe Njësia Policore Detare dhe Delta Forcë.
Operacioni, për heqjen e korridoreve për daljen e mjeteve lundruese në det, të cilat ishin krijuar në mënyrë të kundërligjshme, duke rrezikuar jetën e pushuesve në plazh.
Operacioni, edhe për kontrollin e dokumentacionit të mjeteve lundruese, në plazhin e Velipojës.
Kontrollet, edhe në liqenin e Shkodrës, për masat e sigurisë që duhet të marrin drejtuesit e mjeteve lundruese që tranportojnë turistë dhe vizitorë.
Gjatë operacionit, në plazhin e Velipojës, u konstatuan dhe u prishën 4 korridorë për daljen e mjeteve lundruese në det, që ishin krijuar në mënyrë të kundërligjshme dhe përbenin rrezik për jetën e pushuesve në plazh.
Po në plazhin e Velipojës, u bllokuan 2 mjete lundruese Jet Ski, për mungesë dokumentacioni në bord. Drejtuesit e tyre u ndëshkuan secili me masën administrative 10 000 Lekë të rinj.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në liqenin e Shkodrës, u bllokuan 5 varka artizanale që nuk plotësonin kushtet e sigurisë për transportimin e turistëve.