Sindikata e Punonjësve të Universiteteve Shqiptare ka dërguar një kërkesë për drejtuesit e Institucioneve të Arsimit të Lartë ku parashtrohet propozimi për thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme të këtij institucioni në mbështetje të peticionit të pedagogëve.
Kujtojmë se ditën e djeshme u mbajt protesta më e fundit e pedagogëve të cilët konfirmuan se nuk do të nisnin vitin e ri akademik në 17 tetor pasi qeveria nuk kishte plotësuar kërkesën e tyre për rritje të rrogave deri në nivelin prej 50%.
Kërkesa e plotë ndaj drejtuesve të IAL-ve:
Të Nderuar Drejtues të Njësive Kryesore të IAL-ve Publike! Sindikata e Punonjësve të Universiteteve Shqiptare (SPUSH) kërkon bashkëpunimin dhe mbështetjen tuaj, duke qëndruar në krahun e atyre që ju kanë zgjedhur, si dhe për të na mbështetur në këtë kauzë të përbashkët për arsimin e lartë publik në vend dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi. Në respekt të misionit tuaj si drejtues të njësive kryesore dhe të stafeve akademike, ndihmës akademike dhe administrative, të cilët kanë qenë pjesë e tre protestave publike në ambjentet e universiteteve tona, të organizuara nga SPUSH, lutemi të ushtroni të drejtën tuaj për të thirrur Asamblenë e Përgjithshme, e drejtë e cila iu takon edhe vetë anëtarëve të këtij organizimi akademik. Lutemi që në këtë Asamble të ftohen dhe punonjësit ndihmës akademikë/administrativë, si dhe përfaqësuesit e Qeverive Studentore, edhe pse këta të fundit nuk janë anëtarë të asambleve të përgjithshme. Dëshirojmë që në fokus të mbledhjeve të këtyre asambleve të jetë çështja e ecurisë/hapave që duhet të ndërmerren në funksion të realizimit të kërkesave të peticionit të datës 30 Gusht 2022, drejtuar Kryeministrit, Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe Rektorëve të Universiteteve Publike të vendit.