Pas vendimit të gjykatave kundër kritikut të Kremlinit Alexej Navalny, politikanët evropianë kanë kritikuar ashpër Rusinë. Qeveria gjermane kumtoi se ky vendim është “shumë larg parimeve të sundimit të ligjit”.
Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti dënimin “të papranueshëm”. Shtetet baltike kërkojnë sanksione të reja kundër Rusisë. E të gjitha vendet kërkojnë lirimin e politikanit opozitar rus. Në këto kushte shefi i diplomacisë së BE, Joseph Borrell tani shkon për vizitë në Moskë
Udhëtimi i Borrellit në Moskë ishte planifikuar para vendimit kundër Navalnyt. Në fakt, Joseph Borrellit i mungon shkopi për t’i treguar diplomatit të rryer me qëndrime të ngurta Sergei Lavrov se veprimet e fundit të qeverisë së tij mund të kenë pasoja. Ministri i Jashtëm rus, nga ana tjetër, e quan të ekzagjeruar “histerinë perëndimore” për rastin Navalny dhe ankohet për “raportimin e njëanshëm” në mediat perëndimore.
“Është një kohë shumë e keqe”, ankohet Gustav Gressl nga Këshilli për Marrëdhëniet e Jashtme (Council on Foreign Relation) në Berlin. Disa shtete anëtare të BE – duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë, Francën dhe Italinë – e kanë detyruar Borrellin të shkojë në Moskë për të shpallur një “bashkëpunim të ri”. “Kaherë flitet se nuk kemi dialog të mjaftueshëm me Rusinë”, e në këtë dialog më së shumti mungon kualiteti. Pa një mesazh të fortë, ky udhëtim është një “Mission Impossible” (“Mision i pamundur”).
Ekzistojnë mjaft opsione: Dikush duhet të kontrollojë më mirë spiunët rusë, t’i deportojë më shpesh ata ose t’i arrestojë, t’i japë fund vrasjeve politike si në Tiergarten të Berlinit dhe, në përgjithësi, ta bëjë jetën më të vështirë për rrjetet e presidentit Vladimir Putin në Evropë. Vetëm atëherë qeveria në Moskë do t’i merrte seriozisht evropianët.
Në listë janë edhe kompani të rreme ruse me mandate spiunazhi, blerje të caktuara të pronave dhe pastrim parash, si dhe disa banka. Nëse ua ndalni qarkullimin atyre, Lavrovi do të vinte vetë në dyert e BE. Por Gressl mendon se shanset janë të pakta: Disa shtete të mëdha anëtare të BE do të duhej të bënin presion të vërtetë. Ndryshe masa të tilla do të dështojnë për shkak të mungesës së unitetit dhe vetos së Qipros ose Hungarisë.