Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell është prononcuar mbi përshkallëzimin e luftës në Ukrainë dhe përfshirjen e mundshme të Bjellorusisë në këtë konflikt.
“Ka një referendum të rremë në Bjellorusi që synon ndryshimin e Kushtetutës për t’i dhënë vendit statusin e vendit bërthamor. Kjo është shumë e rrezikshme. Nëse vendi ndryshon statusin e tij si një vend bërthamor, ne e dimë se ç’do të thotë. Do të thotë që Bjellorusia të bëhet vend bërthamor. Do të thotë, që Rusia të vendosë armë bërthamore në Bjellorusi. I bëra thirrje qytetarëve të Bjellorusisë për të protestuar mbi këtë dhe për agresionin e Rusisë në Ukrainë”, është shprehur Borrel.
Pas më shumë se tre orësh, përfundoi raundi i parë i bisedimeve ndërmjet delegacioneve të Moskës dhe Kievit në Bjellorusi. Kjo u njoftua nga agjencia Interfax, duke cituar zëdhënësin e ministrisë së brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko.
Mediat ruse shkruajnë se delegacioni ukrainas ka kërkuar nga Rusia tërheqjen e trupave të saj. Nuk dihet nëse palët kanë arritur një marrëveshje dhe çfarë hapi do të merret në orët në vazhdim.