ZVICER – Shorti i hedhur nga UEFA në mesditën e sotme në Zyrih për eliminatoret e Kupës së Botës 2026, ka qenë mjaft i veçantë edhe për Kosovën, e cila është shortuar në Grupin B.
Përfaqësuesja e “Dardanëve” e drejtuar nga Foda do të jetë në një grup me katër skuadra, ku njëra prej tyre është pikërisht Zvicra.
Rrugëtimi i përfaqësues së Kosovës në Botërorin 2026, që do të luhet në tri shtete (SHBA, Meksikë dhe Kanada), do të kalojë nga Zvicra e shqiptarëve… Suedia dhe Sllovenia.
Ndeshjet kualifikuese evropiane për Kupën e Botës FIFA 2026 janë planifikuar të fillojnë në mars të vitit 2025 dhe të përfundojnë me ‘play-off’-in në mars të vitit 2026.
12 skuadrat e renditura të para në grupe, plus 4 më të mirat e dala në ndeshjet “play-off”, pra gjithsejt 16 kombëtare të Europës, do të garojnë në finalet e Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, ku do të marrin pjesë 48 ekipe.