Ish kryeministri, Sali Berisha ka mbajtur një konferencë për mediat, ku ka folur mbi vdekjen e 32 vjeçarit, Laer Kurtit mbrëmjen e 19 tetorit në komisariatin numër 3 të Tiranës.
Sali Berisha: Kurti po kthehej në banesën e tij, iu kërkua të ndalonte dhe ai nuk ndaloi. Por ai nuk ishte i armatosur. Nuk po kryente asnjë vepër flagrante. Në vendin ku u ndalua Lear Kurti dhe tëgjithë zonën, kishte kamera të panumërta me të cilat ai mund të identifikohej pa asnjë vështirësi. Pavarësisht nga të gjitha këto, patrulla e policisë u vërsul drejt tij, e përndoqi dhe e çoi të vdekur në komisariat. Sipas të dhënave nga një keqtrajtim brutal dhe terror i vërtetë ndaj tij. Asnjë rregull nuk është respektuar në hetimin e kësaj vrasje, në hetimin e kësaj barbarie ndaj një njeriu. Të supozojmë se vërtet këtij i ndaloi zemra, por për të faktuar këtë gjë, duhej korrektesa absolute. Nuk ka vdekje natyrale për një 32 vjeçar. Ka injorancë të kriminelëve që shpallin një gjë të tillë.
Çfarë ndodhi pas kësaj? Gjithçka u bë po kaq e shëmtuar sa krimi. U vërsulën kriminelët e tjerë me uniformë me në krye Ardi Veliun për të falsifikuar dhe deformuar çdo të dhënë. Njoftuan se të riun e dërguan në gjendje të rëndë në spital por ndërkohë e kishin dërguar si kufomë atje dhe për këtë u përgënjeshtruan menjëherë nga spitali.
Në kundërshtim absolut me praktikën e hetimit, ndërmorën autopsinë sikur të ishin klandestinë, në zorën 5 të mëngjesit. E palejueshme për një akt autopsie. Që një autopsi të mund të japë rezultatin, duhet të ketë një interval kohor prej 12 orësh. Në një rast kur vdek një 32 vjeçar, autopsia bëhet nga një grup ekspertësh dhe jo një i vetëm nën terorin e Ardi Veliut. Broçkulla qesja e kokainës në stomak, ia vendosën aty.