ANGLI – Sulmuesi i Kombëtares kuqezi është kthyer një problem për Chelsean. Oferta të shumta kanë ardhur për Armando Brojën, teksa është bërë e qartë që sulmuesi shqiptar nuk do të jetë pjesë e Bluve të Londrës në sezonin e ri.
Dhe klubi i Premier League është i gatshëm ta shesë 22-vjeçarin, teksa së fundmi e ka larguar dhe nga ekipi i parë, për t’u stërvitur me skuadrën e U-21.
Ofertat për të nuk mungojnë, ku së fundmi në garë është futur dhe Stuttgart, me klubin gjerman që ka kërkuar huazimin e Brojës. Por mediat pranë Bluve duket se kanë zbuluar dëshirën e yllit të Kombëtares shqiptare. Sipas tyre, dëshira e vetme e Brojës është Everton.
Gjithsesi, edhe pse dëshira e Brojës është të qëndrojë në Premier League, klubi nga Liverpul e ka të pamundur të transferojë 22-vjeçarin, duke parë pretendimet e larta të Chelseat. Sipas mediave, Everton do të provojë dhe njëherë të fundit për Brojën, kësaj radhe me formën e huazimit.
Duket se Blutë e Londrës po dorëzohen sa i përket sulmuesit të Kombëtares kuqezi dhe janë tashmë të gatshëm të dëgjojnë çdo ofertë që do të vijë për të.