Për herë të parë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka hapur dyert e dhomave të fshehta brenda një bunkeri në Kiev, ku ai jeton që nga dita e parë e pushtimit rus në Ukrainë.
Gjatë një interviste të dhënë për gazetarin ukrainas Dmytro Komarov, Zelensky i tregoi ambientet ku ai jeton dhe nga ku merr vendimet më të rëndësishme për vendin, takimet dhe telefonat që i zhvillon me krerët e vendeve të ndryshme të botës.
Ai rikujtoi edhe orët e para të luftës, ku e përshkroi momentin kur u fut me shpejtësi në dhomë, pasi u informua për pushtimin rus të Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar.
“E dua familjen shumë, por si president i vendit, duhej të isha këtu”, tha ai në këtë intervistë.
Kjo intervistë vjen në kohën kur dy ditë më parë është shënuar viti i parë i fillimit të luftës në Ukrainë. Madje nga kjo intervistë është shndërruar në një lloj dokumentari që do të titullohet “Viti”, ku Zelensky tregon dollapët e rrobave dhe këpucëve sikurse edhe dhomën e gjumit.