Kanë kaluar 2 vite nga mbledhja e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, fill pas tërmetit shkatrimtar të 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona. Gazetarja Beti Njuma ka risjellë deklaratën e kryeministrit Edi Rama, e cila bëri bujë në media. Në fjalën e tij, Rama tha se pallatet e dëmtuara, jo si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit, por për shkak të gabimeve në realizim, do të duhet të riparohen nga ata që i kanë ndërtuar.
“Pallatet e dëmtuara, që mund të riparohen, do të riparohen nga ata që i kanë ndërtuar. O do ti riparojnë vetë ose do shkojnë në burg, se nuk ka mundësi që të riparojmë pallate të cilat kanë shfaqur dëme të rikuperueshem sepse janë bërë gabime në realizim në zbatim. Edhe në këtë kategori ka jo pak pallate. Të vijën ata që i kanë bërë dhe t’i riparojnë, ato që janë të riparueshëm”, tha kryeministri.
Por dy vitet kaluan shpejt, e për ta nuk u dëgjua më. Jo vetëm që asnjë nuk përfundoi në burg, por nuk riparuan as dëmet e shkaktuara nga investimet e tyre të dobëta në të gjitha zonat e prekura të tërmetit. Në datë 16 prill 2020 qeveria vendosi përdorimin e një fondi 5 milirdë lekë për financimin e rikonstruksionit dhe ndërtimit të infrastrukturës publike në funksion të rindërtimit të banesave individuale, në bashkitë: Durrës, Kamzë, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak e Vorë. Edhe përgjatë vitit 2021, përveç donacioneve, qeveria ka vendosur sërish para nga buxheti i shtetit për të rindërtuar dëmet e shkaktuara nga fatkeqësia natyrore por kurrë nuk është folur për “ndërtuesit e këqinj” që sipas Ramës do t’i priste gjëma e madhe.
Mos vallë e kanë kryer udhëzimin e dhënë nga kryeministri? Nëse do ta kishin bërë Rama nuk do të linte shans pa e përmendur çdo herë që flet për tërmetin, por e vërteta është se çdo investim është bërë nga taksat e qytetarëve shqiptarë, që përveçse të ndihmojnë të tjerët në nevojë, duket se kanë për detyrë të mbulojnë edhe gabimet e atyre që marrin leje ndërtimi me të drejtë. E për më tepër nga lakmia rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve. Me siguri edhe atyre Rama u ka thënë se nuk do të jenë kurrë vetëm.