Një 47-vjeçar, i cili rrahu ish-partneren e tij jashtë shkollës së vajzës së tyre, është dënuar me 14 muaj burg, nga Gjykata e Selanikut.
Burri u shpall fajtor për lëndim trupor në familje dhe abuzim verbal. Ai gjithashtu është detyruar të qëndrojë 100 metra larg ish-bashkëshortes.
Ngjarja e paimagjinueshme ndodhi pasditen e së premtes kur 41-vjeçarja shkoi të merrte vajzën e tyre të vogël shtatëvjeçare nga shkolla private në Selanik.
Jashtë shkollës e priste ish-bashkëshorti dhe sapo e pa, e nxori me nxitim nga oborri.
“Më goditi me grusht në kokë, më hoqi këmishën dhe sapo më hodhi në tokë vazhdoi të më gjuante me shkelma , dëshmoi viktima në gjykatë.
Sipas saj, kjo nuk ishte hera e parë që 47-vjeçari e dhunonte fizikisht, ndërsa ka goditur me grusht edhe vajzën e tyre shtatëvjeçare.
“Incidentet janë të shpeshta. Ai nuk mund ta kuptojë që u ndamë. Përkohësisht qëndroj diku tjetër dhe kërkoj shtëpi. Dy javë më parë e mori fëmijën për të dekoruar një pemë dhe e goditi në kokë”, tha gruaja që kërkoi nga gjykata ta mbronte.
“Edhe sot e kësaj dite kam dhimbje”, tha ajo.
Në deklaratën e tij, i pandehuri mohoi akuzat që i ngarkoheshin dhe pretendoi se partneri aktual i gruas ishte ai që e sulmoi jashtë shkollës.