U zhvillua sot në Institucionin e Presidentit të Republikës ceremonia e betimit të anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave.
Përpara Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, u betuan pas leximit të formulës së betimit:
Ervin Mete, Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe Delina Ibrahimaj, Ministër i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot në seancën plenare për emërimin e dy ministrave të rinj, Ervin Mete dhe Delina Ibrahimaj. Ervin Mete u emërua në krye të Financave dhe Ekonomisë me 74 vota pro dhe 30 kundër.
Ndërkaq, Delina Ibrahimaj u shkarkua me 105 vota pro nga posti i ministres së Financave dhe Ekonomisë. Ajo u emërua si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen. Ndryshimet në qeveri u njoftuan nga kryeministri Edi Rama në asamblenë e Partisë Socialiste.
Pas gati 2 vitesh në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (Ibrahimaj u emërua në shtator 2021), ajo është zëvendësuar nga Ervin Mete që mbante detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Mete e mbante detyrën e kreut të AMF prej majit të vitit 2020, ndërsa më herët kishte mbajtur detyrën e Kryetarit të Bordit të Autoritetit.
Ministri i ri Mete ka mbajtur pozicionin e Koordinatorit Kombëtar për “Programin e Reformave Ekonomike me Bashkimin Evropian”, si edhe ka drejtuar grupin e nivelit të lartë mes Qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar.
Ai ka qenë gjithashtu edhe Këshilltar I kryeministrit për çështjet ekonomike dhe financiare në maj 2017-tetor 2017.