Ndërpritet për 5 minuta mbledhja e Këshillit të Mandateve pas kërkesës së opozitës për zhvillim të saj me dyer të hapura.
Siç është bërë e ditur më parë, Këshilli i Mandateve është mbledhur ditën e sotme në orën 16:00 pas kërkesës së SPAK.
Prokuroria e Posaçme i bëri kërkesë Kuvendit për arrestimin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj pas akuzave për pastrim parash, deklarim të rremë e fshehje pasurie dhe korrupsion pasiv.
Arben Ahmetaj nuk ndodhet në mbledhje, por në mbrojtje të tij janë avokatët të cilët kërkuan dhe shtyrjen e mbledhjes për shkak të volumit të dosjes.
Më parë u njoftua që mbledhja do të zhvillohej me dyer të mbyllura për të mos cenuar sekretin hetimor.
Sipas burimeve për mediat, deputeti Ervin Salianji ka akuzuar deputeten e PS-së, Ermonela Felaj për përfshirje në këtë ngjarje.
Gjatë debatit të ashpër mes Gazment Bardhit dhe Ermonela Felajt nëse seanca duhet të zhvillohej e hapur për publikun apo jo, sekretari i përgjithshëm i PD-së dhe kryetari i Grupit Parlamentar i është përgjigjur fyerjeve të deputetes socialiste Felaj duke i kujtuar se emri i saj është në dosjen e sjellë nga SPAK.
“Emri yt është në këtë dosje. Ti ke frikë sepse emri yt është në dosje. Lëri njerëzit të kuptojnë që ti njësoj si Ahmetaj ke qenë pro ndërtimit të inceneratorëve. Je në konflikt interesi!” u shpreh Bardhi në debat e sipër.
Bardhi: Mazhoranca ka frikë që shqiptarët të mësojnë të vërtetën për inceneratorët. Po ndihmon Ahmetajn që të arratiset dhe SPAK mos ta kapë atë.