TIRANË- Prokurorja e SPAK, Dorina Bejko deklaroi se qëndrimi i zëvendëskryeministres, Belinda Balluku në detyrë është një rrezik potecial. Kjo pasi sipas saj, Balluku nëpërmjet vijimit të detyrës e hetuara ka rrezikun që të kryejë vepra penale të të njëjtës natyrë dhe të helmojë provat.
Në seancën publike që po mbahet në Gjykatën Kushtetuese, prokurorja Bejko përmendi edhe një deklaratë të përfaqësuesit të kryeministrit në seancë, se ajo ka propozuar 50 akte.
“Hetimi është dinamik. Në këtë seancë nuk mund të bëjmë të ditur nëse nga ana e të hetuarës, fakti që ka vazhduar ta ushtrojë këtë veprimtari në një sektor të fuqishëm si infrastruktura dhe energjitika nuk mund ta bëjmë të ditur por patjetër që po. Në vlerësimin makro të rreziqeve ka krijuar se ka vazhduar të ushtrojë detyrën e ministres dhe zv kryeministres.
Vetë përfaqësuesi i kryeministrit tha se e hetuara ka propozuar 50 akte. Pra ne jemi para gjykatës dhe po bëjmë të ditur se kjo e hetuar nuk ka përmbushur detyrën e saj në përputhje me ligjin, ka cenuar interesin publik dhe rreziku që kjo e hetuar ta vazhdojë dhe vërë në rrezik interesin publik është konkret se vazhdon në këtë detyrë.
Në mënyrë makro thashë se ekziston rreziku që nëpërmjet vijimit të detyrës e hetuara ka rrezikun që të kryejë vepra penale të të njëjtës natyrë dhe të helmojë provat”, tha Prokurorja.





