“Çfarë i kam bërë Perëndisë”-qytetarët e Vlorës përfitojnë nga mbërritja e SPAK, bërtasin në dyert e Kadastrës

0

Teksa në Kadastrën e Vlorës kanë mbërritur prej mëngjesit të sotëm hetues të SPAK, qytetarë të irrituar kanë gjetur rastin të shfryjnë mllefin e akumuluar nga zvarritjet dhe sorrollatjet që u janë bërë nga ky institucion.

Një zonjë e cila bërtet në portën e Kadastrës thotë se ky është institucioni më i korruptuar në 30 vite, dhe askush nuk u hap derën që iu jap informacion për dosjet e tyre të pronave.

“30 vite moj, pjestim pasurie, është institucioni më i korruptuar në 30 vite, kur vijnë të mëdhenjtë ndërtuesit, hapet porta këtu. Kur vij unë këtu më thonë mos e ngrini zërin, vijnë vejusha seksere,edhe pse kërkoj unë të drejtën time këtu më bjenë policinë. A nuk kam unë si qytetare të dejtën time“, shprehet qytetarja e irrituar.

Ndërkohë që një tjetër qytetar tregon se prej tre vitesh kërkon certifikatën e banesës, dhe përgjigja që ka marrë në këmbim është se nuk duan tia nxjerrin. Ai shprehet se në këto 3 vite që kërkon të drejtën e pronës së tij, në Kadastrën e Vlorës janë ndërruar të paktën 14 drejtora.

“Kam 3 vite që kërkoj hipotekën e shtëpisë, se nuk do Besa Xhaferri, banoj në fshatin Tragjas, nuk duan as drejtori as ajo. Kam 3 vite, një vajtje ardhje më shkon 10 mijë lekë, fjala e fundit që më kanë thënë është nuk dua. I kam paguar të gjitha kokërr më kokërr nga çfarë më kanë thënë, është te drejtori është në përpunim, është te drejtori është në përpunim, është i 14-ti drejtor që ndërroj, se çfarë i kam bërë perëndisë nuk e di”, u shpreh ai.

SPAK mbërriti mëngjesin e sotëm në Kadastrën e Vlorës, ku burimet bëjnë me dije se do të marrë informacione mbi disa zona që gjenden në bregdetin e Jugut.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu