Çfarë marrëdhënie kanë Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte?! Çfarë zbulon libri biografik

0

Historia e dashurisë mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortes së tij Brigitte ka qenë prej vitesh në qendër të vëmendjes, duke ngjallur vazhdimisht kuriozitet dhe polemika. Këtë javë, lidhja e tyre është rikthyer në titujt kryesorë pas një episodi të vogël që ndodhi në një aeroport në Vietnam, gjatë zbritjes së çiftit nga avioni presidencial.

Në qendër të vëmendjes është edhe një biografi e re e titulluar “Tant Qu’on Est Tous les Deux” (“Sa kohë jemi të dy së bashku”), shkruar nga mikja e tyre e afërt Gaël Tchakaloff. Autorja, e cila i ka shoqëruar nga afër për një vit, sjell detaje të rralla dhe intime nga jeta e përditshme e çiftit presidencial.

Sipas librit, Emmanuel Macron dhe Brigitte janë të pandashëm, në kuptimin më të plotë të fjalës. Thuhet se presidenti francez e telefonon bashkëshorten e tij çdo një orë e gjysmë, duke e mbajtur kontaktin të pandërprerë, pavarësisht angazhimeve të shumta.

Ata kanë një orar të përbashkët. E dinë saktësisht çfarë po bën tjetri, minutë pas minute – shkruhet në libër.

Burime të afërta me çiftin pohojnë se Brigitte është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj burrit të saj, duke menaxhuar madje edhe axhendën e tij ditore dhe duke luajtur rolin e një këshilltareje të pazyrtarizuar në vendimet e tij më të rëndësishme.

Historia e tyre fillon shumë vite më parë, kur Emmanuel ishte vetëm 15 vjeç dhe nxënës në një shkollë katolike, ku Brigitte ishte mësuese. Diferenca në moshë mes tyre ka qenë shpesh subjekt diskutimi publik, por marrëdhënia e tyre ka sfiduar kohën dhe paragjykimet, duke mbetur e fortë ndër vite.

Edhe pse biografia nuk është zyrtarisht e miratuar nga çifti, shumë prej fakteve të përshkruara janë tashmë të njohura për publikun, përfshirë dëshirën e Brigitte për të mos fjetur asnjëherë e ndarë nga bashkëshorti i saj.