Ceremonia më e madhe e industrisë së filmit, Oscars, do të ndryshojë vendndodhje duke filluar nga viti 2029. Pas më shumë se dy dekadash në Dolby Theatre, eventi do të zhvendoset në Peacock Theater, ku do të qëndrojë të paktën deri në vitin 2039, sipas revistës prestigjioze Variety.
Ky ndryshim do të përkojë me një moment historik për ceremoninë, edicioni i 101-të i Oscars si dhe me një transformim të madh në transmetim, pasi spektakli do të kalojë në platformën YouTube, pas një periudhe shumëvjeçare në rrjetin ABC.
Teatri Dolby Theatre ka qenë shtëpia tradicionale e Oscars që nga viti 2002, me përjashtim të vitit 2021, kur ceremonia u zhvillua në Union Station Los Angeles për shkak të pandemisë COVID-19.
Zhvendosja është pjesë e një partneriteti strategjik mes Academy of Motion Picture Arts and Sciences dhe kompanisë AEG, e cila zotëron dhe operon kompleksin L.A. Live, ku ndodhet Peacock Theater.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, AEG do të realizojë një sërë përmirësimesh të thelluara në ambientet e teatrit, duke përfshirë modernizimin e skenës, sistemeve të zërit dhe ndriçimit, hapësirave të pritjes, zonave backstage dhe elementeve të tjera thelbësore për prodhimin e një eventi të këtij niveli. Gjithashtu, do të integrohen elemente të personalizuara dizajni për t’iu përshtatur specifikave të ceremonisë së Oscars.
Sheshi i kompleksit L.A. Live, i zgjeruar së fundmi, do të shërbejë si vendi kryesor për mbërritjet në tapetin e kuq, duke i dhënë eventit një dimension të ri vizual dhe logjistik.
Drejtuesit e Akademisë, Bill Kramer dhe Lynette Howell Taylor, e cilësuan partneritetin me AEG si një hap strategjik drejt modernizimit të ceremonisë, duke theksuar eksperiencën e kompanisë në menaxhimin e hapësirave të avancuara teknologjikisht.
Nga ana tjetër, Todd Goldstein, drejtues i të ardhurave në AEG, deklaroi se qëllimi është të rishpikët përvoja e Oscars për dekadën e ardhshme, duke krijuar një ambient që feston kreativitetin dhe ekselencën në kinematografi në një shkallë globale.
Ja se si mund të duket vendi i ri:






