Moment jashtëzakonisht i komplikuar në Premier League, me shtimin e rasteve me Covid në ekipe. Në veçanti, disa klube janë prekur nga infeksionet dhe mes tyre është edhe skuadra e Tottenham, që aktualisht drejtohet nga trajneri italian Antonio Conte.
Siç raporton ‘Daily Mail’, ish-tekniku i Intersit sezonin e shkuar, ka befasuar në fushën e stërvitjes. Atij i është dashur të shpikte një ‘mashtrim’, për të qenë në gjendje të stërviste 12 lojtarët e vetëm të mbetur në dispozicion për ndeshjen e nesërme kundër Liverpoolit.
“Nuk e mohoj që është një situatë vërtet e vështirë për ne. Të qëndrojmë tri ditë pa lëvizur dhe të rikthehemi në stërvitje me vetëm 12 lojtarë”,- tha Conte. – Zakonisht ne jemi të paktën 20 vetë. Dhe kur ne provojmë formacionet, duhet që paktën të jetë ai numër. Nuk është e lehtë ta bësh pa të dhe kështu më është dashur të përdor manekinë. Natyrisht nuk është e njëjta gjë.”
Dhe pastaj është problemi se kush, nga ana tjetër, do të mund të kthehet, pasi të ketë kaluar Covidin: “Duhet të jeni shumë të kujdesshëm me ata që kthehen. Të paktën në fillim e dini që nuk do të jenë në krye. Ju nuk mund t’u jepni atyre të njëjtën sasi pune nga të tjerët. Duhet të jeni të kujdesshëm përndryshe, që të keni gjithçka menjëherë, rrezikoni t’i përkeqësoni gjërat”.