Në spitalin rajonal të Durrësit, një pjesë e të cilit tashmë po shërben për rastet Covid, brenda disa minutash mund të shohësh gjithçka, duke nisur nga pacientë që bëjnë stërvitje në ballkonet e dhomave të tyre, te qytetarë që hyjnë lirshëm dhe dalin, edhe pse zona paraqet rrezik të lartë infektimi.
Që prej ditës së djeshme raportohet se brenda një dite 60 shtretërit e spitalit ishin zënë, ndërkohë sot se është rritur numri i krevateve në mënyrë që të përballohet fluksi i krijuar.
Por pavarësisht dëshirës së mirë për të trajtuar pacientët, personeli mjekësor në Durrës përballet me mungesa të mëdha, ku ambulancat nuk janë të pajisura me oksigjen, dhe mungojnë barrelat. Siç mund të shihet në videon e mëposhtme, një pacient, pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore, është i detyruar që të ecë në këmbë, për shkak se ambulanca nuk ka barrelë.
Në një dalje gjatë paradites së sotme, Ogerta Manastirliu tha se në dy spitalet rajonale janë 20 pacientë me Covid dhe pjesa tjetër janë të dyshuar ose në fazën e rikuperimit të pasojave, ndërkohë që vetëm në Durrës numri i të shtruarve realisht ka shkuar në 70 persona.