Debate në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për gjuhën shqipe, deputetja shqiptare bllokon seancën

0

MAQEDONI E VERIUT- Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, ka denoncuar shkeljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve gjatë seancës së fundit parlamentare. Dauti refuzoi të lirojë foltoren në shenjë proteste pasi materialet e seancës ishin dorëzuar vetëm në gjuhën maqedonase, duke e cilësuar këtë si diskriminim dhe trajtim të pabarabartë.

Gjatë fjalës së saj, ajo drejtoi kritika të ashpra ndaj Ministrit të Politikës Sociale, Fatmir Limani, i cili sipas saj ka nënshkruar dokumente vetëm në maqedonisht, si dhe ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi për neglizhencë në zbatimin e shqipes. Pas këtij tensionimi, nënkryetarja Gjorgjieva u detyrua të ndërpresë seancën për të siguruar materialet e përkthyera për deputetët shqiptarë.

“…e nderuar nënkryetare e komisionit, po të lutem në mënyrën shumë korrekte këtu ka rregullore si funksionon, këtu nuk mund ta bësh tënden si të vije qejfi sepse në këtë rast e drejta qëndron te unë. Duhet të mi siguroni fillimisht materialet në gjuhën shqipe e pastaj të vazhdosh me seancë. Në të kundërtën, ja le ta shohin mediumet e qytetarët edhe këto zonja të nderuara këtu si mund të flitet për barazi kur në mënyrë të hapur po bëhet dhunë psikologjike dhe nënçmim ndaj deputetëve shqiptarë. Kjo seancë ka filluar pa zbatimin e Kushtetutës dhe pa zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërkaq këtu diskutohet për strategji, e cila në qendër të vëmendjes dhe fjalët kyçe i ka diskriminimin, dhunën psikologjike, nënçmimin e kështu me radhë…”, tha Dauti.

Ndërkohë që Dauti fliste, nënkryetarja e komisionit Vesna Gjorgjieva merrte mesazhe përmes celularit. “Vazhdojmë me seancën… Nuk keni të drejtë të fjalës nuk ju dhashë të drejtë të flisni! Ju lutem, nuk ju dhashë të drejtën e fjalës!.Nuk dua t’i manipuloni këta njerëz që kanë ardhur këtu në këtë diskutim publik për të arritur në përfundime, që do na ndihmonin shumë të gjithë neve dhe jo të fitojmë vetëm pikë politike…”, tha Vesna Gjorgjieva duke akuzuar Dautin se po përpiqet të fitojë pikë politike.