Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Precedent i rëndë i kanalit 6+1 Vlora me emrin dhe imazhin e një gazetareje
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është tronditur nga publikimi i një raporti televiziv i kanalit 6+1 Vlora me titull: ” …” Afrovita Hysaj mashtron qytetarët e Vlorës”, i transmetuar në datën 24 Tetor 2023, si në versionin brenda edicioneve informative të medias vendore ashtu edhe në atë online të kësaj medieje.
Ky raport, përmes gjuhës dhe fjalorit që përmban, cënon rëndë kodet e etikës së gazetarisë, linçon publikisht një punonjëse të medias, përdhos komunikimin publik dhe detyrimin ndaj tij dhe shënon një precedent të rrallë në sulmin e një medieje ndaj një gazetareje vendore.
Rasti në fjalë ka tronditur gjithë opinionin profesional dhe ka hapur diskutime të shumta mes entitetit tonë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron këtë një akt të rëndë.
Për këtë arsye, kërkojmë me urgjencë që editori i kësaj medieje, administratori i tij, në mënyrë urgjente të tërheqë nga publikimi dhe faqet zyrtare të medias, këtë raport.
Në përputhje me kodet e etikës dhe rregullat e gazetarisë, të reflektojë menjëherë, pasi ky material në tekstin e vet përmban edhe vlerë antiligjore. Kërkesa jonë bazohet në respekt dhe mishërim të parimeve dhe normave të një gazetarie, si mision publik, në shërbim të publikut dhe jo si një “mjet privat që mund të presë dhe lëndojë qytetarë, e aq më tepër, persona të medias.
Ky rast meriton ndërhyrjen e menjëhershme të AMA-s dhe të organizatave që merren me mbrojtjen e etikës, parimeve dhe normave të komunikimit publik dhe aq më tepër të raportimit me standart.
Në mënyrën më urgjente i kërkojmë kësaj medieje të reagojë dhe të kërkojë ndjesë publike për rastin që shkaktoi.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë