Del Piero tregon ndryshimin e madh që po ndodh në Champions: Interi më befasoi, nuk është se nuk besoj te zikaltrit…

0

Alesandro Del Piero mendon se në këtë edicion është kthyer edhe një herë shumë i rëndësishëm faktori fushë në Ligën e Kampioneve. AI ka theksuar se skuadrat po dhurojnë paraqitje të ndryshme para tifozëve të tyre dhe në transfertë, ndaj tani të gjithë duhej të ishin më të kujdesshëm.

“Është kthyer faktori fushë, përtej faktit se Barcelona ka përballuar ndeshjen me Borusian nën nivelin e zakonshëm, pasi kishte fituar 4-0 të parën. Por shihni atë që po ndodhte në Birmingem”, tha fillimisht ai për “Sky Sport”, duke iu referuar Aston Vilës që thuajse hapi kualifikimin ndaj PSG-së.

Më pas, Del Piero foli për Interin dhe përballjen me Bajern Mynih. “Fitorja e Interit në Mynih më ka befasuar, nuk është se nuk kam besim te ata, por mendoja të paktën një barazim ndaj Bajernit. Ky Inter di të luajë në çdo zonë të fushës, është skuadër e ekuilibruar që i di pikat e forta të saj dhe dobësitë, ndaj i interpreton momentet e lojës.

Mançester Siti ka dominuar lojën për shumë vite, por ka fituar vetëm një herë Ligën e Kampioneve dhe kësaj ia arriti kur diti edhe të mbrohej. Sonte publiku duhet t’i japë një dorë Interit dhe të ndjejë ndeshjen”, tha Del Piero para sfidës së zikaltërve.