Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi reagoi pas dënimit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me 3.4 vite burg nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në studion e “Report TV”, Kryemadhi tha se drejtësia në vendin tonë në lidhje me çështjen Tahiri reagoi me shumë vonesë. Ajo theksoi se nuk është i rëndësishëm dënimi i Tahirit, por ideatori i kanabizimit të Shqipërisë, i cili sipas saj është kryeministri Edi Rama.
Më tej, liderja e LSI theksoi se nuk i vjen mirë kur shikon shqiptarë të dënohen. Ajo nënvizoi se nuk duhet të ndjejmë kënaqësi kur dënohen politikanë, por kur sistemi i drejtësisë dhe ligjit i ndalon të kryejnë shkelje.
‘Mendoj që sot për mediat dhe ndoshta dhe për klasën politike mund të jetë shumë interesant lajmi për dënimin e zotit Tahiri. Sigurisht vjen një dënim pas një kohe shumë të gjatë pas një denoncimi të 7 apo 8 viteve më përpara. Duke pasur parasysh menjëherë pas 2016 një nga pikat kryesore të shkëputjeve qëkur kemi qenë në qeveri me PS ka qenë cështja e kanabizimit. Ka qenë një nga pikat e shkëputjes dhe të ndarjes.
Sot, ne kemi një drejtësi të vonuar. Por ajo që është më e rëndësishme nuk është burgu i Saimir Tahirit apo dënimi Saimir Tahirit sesa kush është ideatori apo urdhëruesi i Saimir Tahirit. Ne jemi koshientë që të kanabizosh një vend të tërë dhe ta kthesh në një nga pikat më problematike të drogave të rënda të gjithë rajonit. Nuk mund të bëhet thjesht me urdhër të një ministri që e adhuronte shefin e tij, që ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Të jemi të sinqert mua nuk më vjen mirë, që të shikoj ndonjë shqiptar në burg. Por thirrja ime është për të gjithë ne për mediat dhe klasën ne nuk duhet të ndjejmë kënaqësi sesi qeveritarët në burg por duhet të ndjejmë kënaqësi sesi sistemi nuk lejon që qeveritarët të shkelin ligjin të jenë arbitrar të jenë arrogant përpara ligjit”, bëri me dije Monika Kryemadhi.