Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 foli për konfiskimin e ‘Prestige Resort’ dhe zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë bisedës në studio, Alizoti nuk i ka kursyer ironitë dhe kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Çohet natën, i hipën ekskavatorit dhe dërgon paralajmërime’, kështu u shpreh Alizoti, duke shtuar se sipas tij kryeministri po përdor të fortët dhe lobistët për të marrë vota, pasi në mënyrë demokratike e ka kuptuar se nuk arrin që të fitojë.
“Ju e keni parë në rastin e ‘Prestige Resort’. Shteti dërgon njerëz me kapuça për të hyrë brenda. Ky është paralajmërim, një mesazh që vjen nga kryeministri, pasi do pushtet. Pse kryeministri përdor të fortët dhe lobistët? Te votat reale e kupton që në mënyrë demokratike nuk fiton dot. Këtu marrin horra që vjedhin vota dhe nëse e denoncon e pëson. Këtu duhet të unifikohen njerëzit që të mbrojnë jo News-in për liritë e tyre. Tani është një moment deciziv që të unifikohen ndaj të keqes. Ai çohet natën dhe i hipën ekskavatorit dhe dërgon paralajmërime. Kemi arritur në kohën para 2 mijë viteve.”, tha Alizoti.
Sakaq foli edhe për zgjedhjet e 14 majit, duke thënë se Shqipërisë nuk i mungojnë njerëzit e zgjuar, por ata humanë.
“Shqipëria nuk ka mungesë të njerëzve të zgjuar, por humanë. Kandidatë më të mirë se ai në Berat nuk mund të nxirrnim. Zijai nuk ka eksperiencë politike, por jete. Një qytet që është në mes të Shqipërisë dhe të jetë në këtë gjendje të vështirë. Kur ishim në fushatën e 2021, ishte koordinator. Kishim rastin e një fëmijë të sëmurë, Zijai i ndihmonte qoftë me telefon. Ai më shumë po na ndihmon ne. Mori kosto politike për të na ndihmuar ne. Sot në Berat njerëzit luftojnë për të siguruar bukën e gojës. Mund të thoja që është më i varfër se para 2000 viteve. Është një vend që nuk funksionon jetesa, varfëria është e madhe. Tani po punohet për një parkim që kushton miliona euro dhe një pedonale, por dihet që pastrohen para. Këto fshatra që jetojnë në prag të mbijetesës.. është tamam si të blesh perde, por s’ke bukë të hash”, tha deputeti i PD-së.
Alizoti u ndal dhe te debatet politike, duke thënë se “Lufta është artificiale dhe fryhet nga mediat. Problemi i Shqipërisë është Rama dhe qeveria, jo kriza në PD. Të mos kesh varfëri, padrejtësi por të kesh non-stop ca tha Alibeaj, X. Y… është një perceptim që u krijohet shqiptarëve. Është një problem? Patjetër që po, por jo madhori.”