Nesër luhet derbi Partizani-Tirana në “Air Albania” prej orës 19:45. Derbi i madh i kryeqytetit do të vihet në skenë për herë të dytë në këtë sezon. Duke folur në prag të përballjes me kryesuesit e Superiores, trajneri i kuq Ilir Daja tha para gazetarëve:
Derbi mbetet special – “Kjo është ndeshja më e veçantë e futbollit shqiptar, mbetet ndeshja më speciale e kampionatit shqiptar. Do futemi në fushë për të fituar, renditja nuk ndikon. Qëllimi ynë kryesor do të jetë fitorja, pasi derbi luhet për t’u fituar.
Presioni – Një derbi ka gjithmonë presion. Ne kemi lojtarë që janë mësuar, por edhe të tjerë që ndoshta e kanë për herë të dytë marrjen pjesë në derbi. Lojtarët e Partizanit do të dinë ta menaxhojnë presionin, në mënyrë që të kemi sa më pak probleme.
Pragmatizmi – Përveç derbit ndaj Dinamos, që pati spektakël, ndeshjet me Tiranën kanë dyluftime maksimale. Duhet të jemi pragmatistë, të marrim kontrollin e lojës. Këtë do tentojmë ndaj Tiranës.
Merkato – Kemi bërë një merkato të mirë në verë, por në këtë periudhë po vuajmë shumë dëmtime. Atë kontingjent që e kemi prezantuar në verë, pothuajse nuk e kemi pasur në asnjë moment të plotë.
Goli – Me freski më të mirë fizike shkohet më lehtë te goli. Më pas është stërvitja individuale, kemi 13 lojtarë që janë nën 21 vjeç dhe stërviten me ekipin e parë. Kur të jemi në kompleksin tonë do të punojmë më shumë në aspektin individual.
Rivali – Tirana ka bërë më mirë se Partizani në drejtim të pikëve. Në derbi ka rëndësi jo motivimi maksimal, por kontrolli emocional. Gabime bëjnë të gjithë, futbolli është sport i gabimeve. Janë bërë disi të shpeshta gabimet, kjo na ka dhembur shumë. Duhet t’u japim kurajo lojtarëve të vazhdojnë përpara dhe të minimizojmë gabimet.
Zënkat – Të mbyllet edhe seanca e sotme që të shohim se me kë do zihet trajneri Daja? Në fakt, Daja nuk zihet, por kjo ndodh përpara derbeve. Kam eksperiencën që të shmang debatet me lojtarët. Ne jemi jo tolerantë, pasi nuk lëmë asnjë lojtar të debatojë në stërvitje. Nuk ndodhin debate mes lojtarëve te Partizani.
Episodet – Në një derbi nuk ka shumë raste në portat respektive, asnjë nga skuadrat nuk çekuilibrohet. Duhet të jemi pragmatistë, t’i shfrytëzojmë situatat përpara portës.
Kontrata – Kam një kontratë me klubin, por nuk më mban ajo te Partizani. Më mbajnë marrëdhëniet bilaterale me drejtuesit, që janë shumë të mira” – tha ndër të tjera trajneri Ilir Daja.