Një derbi nuk do të jetë kurrë një ndeshje si gjithë të tjerat, sidomos kur vlen për vendet e para të klasifikimit. Për këtë motiv Pioli dhe Inzagi mund të eksperimentojnë zgjidhje të ndryshme në planin taktik, por ajo që pritet është që si Interi dhe Milani të ndjekin parimet e tyre në atë që kanë treguar deri tani në fushë.
Ajo që mund të variojë ama, është mënyra si do ta ndërtojnë lojën, në të dyjs fazat, duke marrë parasysh presionin ndaj kundërshtarëve dhe zënien e hapësirave.
MËSIMET E FAZËS SË PARË – Në ndeshjen e parë u panë dy karakteristika në daljen e Milanit: Kesi, i vendosur së bashku me Tonalin përpara mbrojtjes, pozicionohej në të njëjtën linjë me qendërmbrojtësit për të krijuar superioritet numerik ndaj dy sulmuesve të zikaltërve, ndërkohë që Balo Ture, i cili zëvendësoi Teo Hernandezin për shkak të skualifikimit të tij, mundi të bënte mesfushorin e avancuar të krahut të majtë në ofensivat kuqezi.
Në këtë mënyrë Leao kishte mundësi të tërhiqej disi për t’u dhënë më pas jetë depërtimeve të tij të palexueshme nga kundërshtarët. Ishte një Milan me një sulm të paprecedentë, me Diazin në të djathtë dhe Kruniçin në qendër që bashkë me Leaon formonin tridentin pas krahëve të Ibrës.
Gjithsesi, në një sfidë në të cilën u shfaq më shumë agresivitet nga ana e kuqezinjve, djemtë e Inzagit nuk patën vështirësi të mëdha për të dalë nga presioni dhe për të shfrytëzuar ndryshimet e lojës nga e majta në të djathtë, situata këto që mund të përsëriten edhe këtë herë.
STRATEGJITË PËR SOT – Këtë herë duket sikur Kesi do të jetë lojtari i ngarkuar për të sfumuar Brozoviçin, me Salmakersin e Leaon gati për të ndryshuar pozicionet mes krahut dhe qendrës, e gjitha në varësi të drejtimit që do të marrin projeksionet ofensive të Teos apo Kalabrias.
Pikërisht francezi mund të jetë arma më e rëndësishme e Piolit sidomos me aftësinë e tij për të vendosur kundërshtarët në inferioritet numerik dhe për të marrë edhe qendrën.
Zgjedhja e Simone Inzagit për të rreshtuar Dumfrisin në të djathtë, duket veçanërisht një zgjedhje për të ndaluar kundërsulmet e Teos. Interi nga ana tjetër ka ditur gjithmonë të hyjë në lojë me çdo lloj mënyre, nga pozicionimi lart i Bastonit dhe Shkriniarit, te shfrytëzimi i shpejtësisë së anësorëve dhe ndryshimet e lojës, duke spostuar Çalhanoglunë në një pozicion më të ulët në ndërtimin e lojës.
Në gjithë strategjinë e Inzagit nuk duhen lënë pa përmendur edhe topat e gjatë, që mund të shfrytëzohen mrekullisht nga Xheko.
Një kuadër taktik me shumë hipoteza dhe variable ky i derbit dhe mbi të gjitha me vetëdijen se në një ndeshje të tillë, diferencën mund ta bëjë edhe një episod dhe një lojtar i vetëm. Panorama Sport